Çaste poetike me poeten;-Donika Stasa DOMI

Kanë ardhur bijtë

——————————

Sonte

u përmbys kupa e qiellit.

Yjet u derdhën

mbi flokët e thinjur të natës.

Toka ndezi zjarrin

me eshkën e gushtit

e tashmë

digjet nën këmbë valltarësh.

Nuk është dasëm.

Është përtej saj.

Sheshi gjëmon,

e ajri

dridhet

nga tingujt e një klarinete.

Nata qesh e qan

teksa shtrydh pelerinën e xixëlluar,

që kullon lotë yjesh e hëne.

Kanë ardhur bijtë.

Udhët e pamata

u kryqëzuan

në prehërin e vendlindjes.

Mallin

e nxjerrin prej kraharorit,

si gjyshja dikur

karamelet me letër të kuqe.

Nuk është lidhje gjaku

që sonte i bëri bashkë.

Është gjak nga zemra e atdheut

që shemb kufij shtetesh,

vulos pasaporta

me vulën e zogjve të qiellit,

derdhet hareshëm,

të pulsojë në vena

si muzika

që tremb errësirën.

Gjëmon vallja në shesh.

Jo, nuk është dasëm;

është përtej saj…

/QendraPress/