Çaste poetike me poeten;-Marigona ZEKAJ

Pse shpëtuam?
————————–
Pse shpëtuam ne nga ajo luftë e zjarrtë,
Për të parë plagë që s’u mbyllën kurrë në varr?
Për të jetuar mes hijeve që s’kanë paqe,
E për të ndjerë dhimbjen që na ndjek në çdo hap e faqe.
Pse shpëtuam, kur rrugët na çojnë në humbje,
Ku aksidentet marrin jetë pa pyetur për dhimbje?
Ku dita lind me frikë e nata bie me lot,
E shpresa shpesh tretet si dielli në perëndim të kotë.
Pse shpëtuam për një jetë pa mbrojtje shteti,
Ku fjala “drejtësi” mbetet vetëm një premtim i mbetur.
Ku zemrat lodhen duke pritur një dritë,
E errësira bëhet zakon, e dita humb kuptimin në shpirt.
Ah, pse shpëtuam nëse s’jetojmë të lirë,
Nëse jeta na rrëzon e na ngre veç me vështirësi
Ndoshta shpëtuam për të mos harruar kurrë,
Se edhe në dhimbje,
njeriu lufton për një të nesërme më të mirë!
/QendraPress/