Çaste poetike me poeten;-Elida PRIFTI

Dielli i Miqësisë
Baladë filozofike
———————————-
Kur zbehet shpresa në udhët e njerëzisë,
si yll i gjallë miqësia ndriçon;
është dielli i heshtur i universit,
që natën e urrejtjes në ag e shndërron.
S’matet me ar, as blihet me pushtet,
si rrap i lashtë i përballon stuhitë;
nga rrënjët e saj buron veç paqja,
si krua i kthjellët që shuan etjet.
Çdo zemër fsheh një tempull të padukshëm,
ku fjala e mirë bëhet altar;
kur dora zgjatet për të falur plagët,
edhe guri mëson të bëhet zjarr.
Prandaj sot, në Ditën e Miqësisë,
ta mbjellim paqen si farë përjetësie;
se dielli që s’perëndon në zemrat tona,
është drita e amshuar e miqësisë.
/QendraPress/